Albin Kurti ka folur për takimin me kreun e AKR-së Behgjet Pacolli, që ndodhi paraditen e së martës në hotelin e këtij të fundit.
Për këtë takim kishte raportuar ekskluzivisht lajmi.net.
“Nuk kam se çka i shtoj shumë sqarimit të z. Behgjet Pacolli. Ne kemi pasur bisedime edhe para zgjedhjeve të cilat nuk u patën kurorëzuar ne finale me sukses. Por tash ne i bëjmë ftesë komplet atij koalicioni (LDK-AKR) në mënyrë që në Kosovë ta hapim një kapitull krejtësisht të ri në përputhje me vullnetin e qytetarëve.”, tha Kurti në një konferencë për media.
“Takime të tilla çfarë kanë qenë sot, por jo më aq të rastësishme, në ditët në vijmë do t’i shpeshtojmë”, ka shtuar kandidati i VV-së për kryeministër, që pasi partia e tij nuk doli e para në zgjedhjet e 11 qershorit, sot ka ardhur me një propozim për krijimin e një blloku politik për krijimin e Qeverisë së re nga partitë humbëse të zgjedhjeve.