Aktuale

Akuza e kundër akuza ndërmjet deputetëve të koalicionit qeverisës

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë diskutimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa ka pasur akuza dhe kundër akuza nga koalicioni qeverisës PDK-LDK.

Deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka thënë se i vjen keq që opozita ka rënë në kurthin e PDK-së me mocionin, ndërsa, sipas saj, është veprim i mjerë i PDK-së që fshihet pas opozitës.

“Mocioni më vjen keq për të thënë, por duhet ta them, mocioni është formalisht mocion që e ka ngritur opozita. Më vjen keq që keni rënë në kurthin e tjetër kujt. Edhe PDK ka të drejtë të bëjë mocion. Edhe LDK ka mundur të bëjë mocion. Nuk është mirë dhe mendoj që është pozitë e mjerueshme që PDK të fshihet pas opozitës. Po i drejtohem Zenunit me vullnetin e qytetarëve, Zenun që as fëmijët më s’mund për të përbirë këtë hipokrizi. Se ishte hipokrizi s’ka dyshim, por të paktën mos u bëni qesharak. Krejt në fund për të mos qenë hipokrit, ndaj vetes dhe partisë që i takoj që 27 vjet, udhëheqja politike e LDK duhet ta ketë të qartë se ka vetëm një interes, interesin nacional të qytetarëve”, tha deputetja Tërmkolli. Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka kritikuar rëndë partitë tjera e sidomos PDK-në, dhe duke lartësuar punën e Qeverisë të udhëhequr nga Isa Mustafa. Sipas saj, kjo Qeveri është e vetm ja që punoi nën presion të dhunës që nga dita e parë.

Qeveria e udhëhequr nga LDK, sipas Gaxherrit është Qeveri pa skandale korruptive krahasuar me qeveritë e kaluara. Me këtë rast ajo ka përmendur skandalin me pasaporta, vjedhjen në Dhomën e Dëshmive, aferat me prona, skandalet në KEK, PTK, aeroport, etj.

“Kjo qeverisje është model për qeveritë e mëparshme në Kosovë , pa skandale korruptive dhe krime të organizuar siç kishim shembuj me qeveritë e mëparshme skandal e krimit të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, skandali i pasaportave , vjedhja e dhomës së dëshmive, vjedhja e arit në polici në Pejë, skandalet e privatizimit, aferat e pronave , skandali me KEK-un, me PTK-në, me aeroportin etj. Kjo qeveri merret shembull në këtë regjion e më gjerë për luftën kundër krimit dhe terrorizmit, qeveri e cila ka rritje ekonomike më të lartë në regjion me borxhin më të ulët në regjion”, theksoi Gaxherri.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje që seanca e sotme mos të kthehet në fushatë zgjedhore dhe sipas tij ka “një milion” arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje. Ai tha se kjo qeveri në tri raste është dashur të japë dorëheqje.

Limaj përmendi rastin kur Gjykata Kushtetuese ka gjetur se me themelimin e Asociacionit për komunat serbe është shkelur Kushtetuta në 23 nene. Ai u tha këshilltarëve të kryeministrit Musafa se janë fajtor që e kanë këshilluar gabimisht.

“Duke parë disponimin në parlament po shihet se ne nga sot po shkojmë në zgjedhje dhe mocioni për mosbesim do të ketë sukses dhe do të ishte mirë t’i kursejmë edhe parlamentin, edhe qytetarët e Kosovës që mos të fillojë fushatën këtu. Unë mendoj se së paku në tri raste Qeveria e Kosovës ka qenë dashur të japë dorëheqje për të mos pritur mocionin e mosbesimit. Dhe një nga rastet kryesore ka qenë momenti kur Kushtetuta e Kosovës në 23 nene është rrezikuar të shkelet”, theksoi Limaj.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka deklaruar se mocioni nuk është i opozitës, por i Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, të cilët, sipas tij, e bëjnë të vazhdojë rrugën e tij politike. Ai tha se Veseli e Thaçi nuk janë për stabilitet ekonomik dhe duhet të japin llogari pse nuk ka siguri në veri.

“Një gjë dua t’ju garantoj z. Veseli, z. Thaçi, ju jeni arsyeja që më detyroni të qëndrojë ende në këtë parlament, ndoshta e ndieni fitimtar veten në këtë betejë, por do të shihemi në finale. Mirëpo, një gjë dua t’ju garantoj të gjitha ato mjerime që ju ia keni shkaktuar Kosovës, për të gjitha ato shantazhe për të gjitha ato manipulime që i keni bërë. Ju po më detyroni të qëndroj këtu derisa t’ju shoh juve prapa grilave”, tha deputeti Quni.

I menjëhershëm ndaj deklaratës së deputetit Quni, ishte kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili me ironi tha se nuk arriti të kuptojë asgjë nga fjalimi i deputetit të LDK-së.

“Valla s’e di a fole si profet a si hero, nuk të mora vesh asgjë. Por, megjithatë ta vazhdojmë seancën, por për këto çka fole flasim kur të duash, edhe si të duash”, iu përgjigj Veseli Qunit.

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani ka folur ashpër në Kuvend kundër PDK-së, e cila që nga viti 2014 udhëheq Qeverinë bashkë me LDK-në. Ajo ka përdorur fjalën e urtë popullore “Ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron”, fjalë që sipas saj i përshtatet PDK-së. Për më tepër deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje partive tjera të mos lidhin marrëveshje me PDK-në pasi siç tha ajo “PDK ua ngul thikën pas shpine”.

Osmani tha se ky mocion është iniciuar nga PDK e jo nga partitë opozitare, ndërsa tha se është demagogji absurde që PDK të flasë për dështime kur ka pas përgjegjësi qe dhjetë vjet.

Me këtë rast deputetja e LDK-së u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren me akuzat e kryeministrit Mustafa e në veçanti për rastin ‘Axos’. Në fund ajo u është drejtuar përkrahësve të LDK-së duke bërë thirrje kolegëve të saj që të kthehen te rrënjët e saj.

Deputetja Osmani tha se asnjë proces zgjedhor nuk mund ta shpëtojë dikë nga drejtësia e sidomos nga drejtësia ndërkombëtare. Ajo foli edhe për demarkacionin, ku sipas saj, PDK-ja kërkonte në Kuvend demarkacionin me qëllim që të dështojë ky projektligj.

“Hajde të flasim edhe për demarkacionin, PDK ka insistuar që demarkacioni të vijë në Kuvend për të dështuar, rrjedhimisht që mos të plotësohen kushtet për liberalizimin e vizave. E rrjedhimisht, duke dalë kështu edhe në kundërshtim me qëndrimet e partnerëve tanë strategjikë. Ky ka qenë qëllimi që pastaj ta mbulonte thikën pas shpine të votimit të mocionit”, theksoi Osmani.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli , derisa deputetët flisnin për kontratën për Axos, se cila ishte lidhja e Qeverisë me këtë kontratë, ka thënë se ka filluar fushata elektorale.

Derisa deputetet e LDK-së, fajësuan Qeverinë për kontratën e Axos, ata të PDK-së thanë se Qeveria nuk ka nënshkruar asnjë kontratë me këtë kompani.

“Gjithsesi që jemi në fushatë elektorale, ka filluar, heronj e të mençur, akademik, paska deshtë të fillojmë moti këtë punë, jemi vonuar”, tha Veseli.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me vota 78 për, 34 kundër dhe 3 abstenime.

Ata në seancën e sotme, pas një debati të gjatë kanë vendosur për në lidhje me mocionin e opozitës për mosbesimin e Qeverisë. Mocioni nuk do të kalonte po mos të kishte votat e deputetëve të PDK-së.

Ky mocion ka nisur nga Nisma për Kosovës, dhe është nënshkruar nga opozita, disa deputetë të komuniteteve jo shumicë dhe disa deputetë të PDK-së./KP