Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha i është kundërpërgjigjur deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, duke i thënë se “vetëm një mendje e sëmurë do të besonte në atë çka thuani ju duke ma lënë mua fajin për vetëvrasjen e Astrit Deharit”.
“E nderuara Znj Nagavci, ju jeni munduar të zhvendosni vëmendjen e opinionit publik nga keqpërdorimet e zbuluara në dikasterin të cilin e keni drejtuar ju dhe atë në barrën e një rasti të dhimbshëm.
Vetëm një mendje e sëmurë do të besonte në atë cka thuani ju duke ma lënë mua fajin për vetëvrasjen e Astrit Deharit. Unë nuk e takova asnjëherë të ndjerin, unë nuk e njihja – përgjigjen për arsyet e vetëvrasjes së tij duhet të kenë ata që e takuan shumë herë në qendrën e paraburgimit, e sidomos para ditëve të fundit të tij. Duhet të tregoni pse u vetëvra edhe vëllau i Astritit duke qenë aktivist i juaji?
Unë sinqerisht nuk e kuptoj se si jetoni ju me këtë barrë në ndërgjegjen tuaj, a thua çfarë bëtë që dy të rinjë i dërguat drejt vetëvrasjes, apo siç javë më parë thoshte bashkëpartiakja juaj, i dërguat në “vetëflijim”?
Për më tepër, nuk e kuptoj se si Shpend Ahmeti asnjëherë nuk dha llogari për vdekjen e dy fëmijëve në gropën e cila nuk u mbyll për shkak edhe të një keqmenaxhimi tjetër në komunën e Prishtinës.
Nuk jeni përgjigjur në akuzat e Degës së PDK-së në Prishtinë. Mos e zhvendosni vëmendjen tek një rast i dhimbshëm por merruni me adresimin e këtyre akuzave me fakte nëse keni!”, ka shkruar Hoxha.
Disa orë më parë Nagavci kishte reaguar ndaj konferencës së mbajtur nga Dhurta Hoxha, e cila ka akuzuar Komunën e Prishtinës për punësime të militantëve të saj dhe për keqmenaxhim. Nagavci ka shkruar “Dhurata, në kohën sa ti ishe ministre e drejtësisë Astrit Dehari u mor peng dhe u vra nga shteti që keni kapur ti, shefat e tu dhe partia që ti i takon”.
Postimi i plotë i Nagavcit
Dhurata Hoxha, ministria në ikje e drejtësisë sot paska mbajtur një konferencë për media, një konferencë ku paska folur për “kapjen e shkollave të Prishtinës nga militantët e Vetëvendosjes”.
Dhurata Hoxha, do të ishte shumë e vështirë për mua të shkoj madje ndër mend se një ministre e drejtësisë gënjen e shpif publikisht, por ti tashmë e ke ngrën turpin me bukë, dhe si ish këshilltare e Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe mund të pritet kjo nga ti.
Dhurata Hoxha, dje u bënë nëntë muaj që një i ri i këtij vendi, një student shembullor, një qytetar me angazhim të pashoq për vendin e tij vdiq në duart tua. Dhurata, në kohën sa ti ishe ministre e drejtësisë Astrit Dehari u mor peng dhe u vra nga shteti që keni kapur ti, shefat e tu dhe partia që ti i takon.
Dhurata Hoxha, të isha në vendin tënd nuk do të mund të flija natën, nuk do të mund të shiqoja fëmijët e mi, se do më dilte para syve Arsa Dehari, vogëlushja që kurrë nuk do të shof babain e saj, që ja vrat ti dhe shteti që e keni krijuar, e jo të dilja në konferenca për media për të shpifur publikisht.
Dhurata, Arsa do të rritet e do të jetë krenare gjatë gjithë jetës për babain e saj! Po ti Dhurata cfarë do tu thuash fëmijëve të tu një ditë, si do të arsetosh veten tënde për papërgjegjshmërinë tënde, për veprimet, krimet e gënjeshtrat e tua?