Jashtëqitje që duhej të ndodhte është cilësuar largimi i Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje, nga një aktivist i partisë.
Këtë deklaratë e ka bërë Egzon Haliti, pasi kryetari i Prishtinës të mërkurën ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat e tij në parti.
Për largimin e Ahmetit nga VV, aktivisti Haliti, i akuzuar për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, ka thënë se “kjo është një jashtëqitje, proces që duhet të ndodh”.
Deklaratën e Halitit e ka zbuluar Frashër Krasniqi, deputet i VV’së në Kuvendin e Kosovës, në “Rubikon” të KTV’së.
“Më vjen keq për fjalorin mirëpo sot një ndër aktivistët kishte thënë se kjo është një jashtëqitje, proces që duhet të ndodh”, ka thënë Krasniqi, i cili ka dhënë dorëheqje muaj më parë nga pozitat e tij në parti.
Dorëheqja e Ahmetit nga VV ka ndodhur pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës dje nuk ia miratoi Qeverisë Ahmeti një raport financiar.
Kundër raportit votuan edhe shumica e asamblistëve të Vetëvendosjes.