Aktuale

Aktivistëve të Vetëvendosjes u vazhdohet paraburgimi

Me vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, u është vazhduar paraburgimi tre aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi, Egzon Halitit dhe Astrit Deharit. Po ashtu me këtë vendim, gjyqtari i ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak, Frashër Krasniqit, Petrit Ademit dhe Adea Batushës.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i aktivistit Petrit Ademi, Tomë Gashi, i cili tha se paraburgimi dhe arresti shtëpiak ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes është vazhduar edhe për dy muaj, respektivisht deri më 29 nëntor të këtij viti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Gashi ka shkruar se Gjykata faktikisht e ka aprovuar apo kopjuar në tërësi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në Prishtinë për vazhdimin e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak, duke pretenduar se ende ekzistojnë arsye për këtë.

“Gjykata pretendon se ende ekziston rreziku i ikjes së aktivistëve të Vetëvendosjes, e pastaj sipas kësaj Gjykate ekziston edhe rreziku i ndikimit në prova, dhe në rrjedhën e procedurës normale penale në këtë rast. Unë si avokat i Petrit Ademit mund të them se kjo është nonsens juridik dhe është një vendim për të arsyetuar veprimet e policisë dhe të Prokurorisë, është e qartë se konferencat e njëpasnjëshme të policisë me Prokurori, si dhe deklaratat e djeshme e një zyrtari të lartë të Policisë së Kosovës, se sipas tij dje i është vazhduar paraburgimi aktivistëve të Vetëvendosjes e vërteton se në këtë rast kemi një ndikim dhe trysni në punën e Gjykatës, e cila do të duhej të ishte e pavarur në vendimet e saj”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, ky rast tregon se aktivistët e Vetëvendosjes mbahen në burg dhe në arrest shtëpiak për shkak të luftës politike në mes të pozitës dhe opozitës.

“Normalisht që pozita është duke e përdorur dhe keqpërdorur të gjithë aparatin policor dhe tërë sistemin juridik për të luftuar partinë më të madhe të opozitës në Republikën e Kosovës Lëvizjen Vetëvendosje. Ne avokatëve na mbetet të ushtrojmë ankesë kundër këtij vendimi duke shpresuar se Gjykata e Apelit e Kosovës në Prishtinë mund dhe do t’i rezistojë presionit dhe do t’i lirojë të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes që të mbrohen në liri nga akuzat e montuara për arsye thjeshtë politike”, ka shkruar Gashi më tej./KosovaPress/