Aktuale

Aktivistët e VV, e quajnë politike aktakuzën ndaj tyre

Të akuzuarit për terrorizëm, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mohuar aktakuzën me të cilën ngarkohen duke thënë se janë të pafajshëm.

Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi janë deklaruar sot në seancën e parë gjyqësore ku u është lexuar aktakuza e ngritur ndaj tyre për sulmin në Kuvendin e Kosovës që ka ndodhur më 4 gusht të vitit të kaluar.

Ndonëse nuk iu dha fjala nga gjyqtari, zëdhënësi i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi tha se akuza ndaj tyre është politike dhe e montuar sepse pafajësia e tyre është dëshmuar edhe në raportin e Forenzikës.

Sipas tij fajtorë janë vetëm se kundërshtojnë një siç e quajti ai “pushtet kriminal”.

Edhe avokatët mbrojtës e të akuzuarve e kanë quajtur aktakuzën politike pasi që sipas tyre nuk ka dëshmi se ata e kanë kryer veprën me të cilën ngarkohen.

Me këtë rast ka reaguar prokurori i çështjes Abdurrahim Islami i cili tha se mbrojtësit e të akuzuarve mbajtën fjalime politike.

Avokatët kërkuan lirimin e klientëve të tyre nga arresti shtëpiak gjë që u refuzua nga gjyqtari Beqir Kalludra.

Seanca e ardhshme për aktivistët e VV-së do të mbahet më 30 mars./KosovaPress/