Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit, N.A, për veprën penale “Organizimi dhe Pjesëmarrja në Grup Terrorist”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri N.A., i është bashkuar organizatës terroriste të quajtur “Al-Nusra” nё janar tё vitit 2014.
“I pandehuri duke shfrytëzuar rrugën ajrore përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka udhëtuar për në Stamboll-Turqi, e pastaj nga ky vend ka udhëtuar pёr nё qytetin Gazientep (qytet afёr kufirit me Sirinё). Prej aty i pandehuri N.A., ka arritur tё kalojë nё territorin e Sirisё, ku është bёrë pjesё e organizatës terroriste ‘Al Nusra’, i cili pas qëndrimit një javor nё Siri është kthyer nё Kosovё përmes rrugëve tё njëjta”, thuhet në një komunikatë nga prokuroria.
Ndërsa, kur i pandehuri N.A., sërish ka provuar të shkojë për nё Siri duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, në aeroportin e Stambollit autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë pёr shkak tё lidhjes së tij me zonёn e luftёs.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /KosovaPress/