Aktuale

Aktakuzë për krim të organizuar

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit M.B. për veprat penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit M.B. për veprat penale: Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës lidhur me veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitje e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, nga neni 372 par. 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuar i cili deri më tani ka qenë i paarritshëm nga organet e ndjekjes, ekziston dyshim i bazuar se ka kryer vepra penale, që dënohen me 4 vjet burg.

“Sipas aktakuzës për të pandehurin M.B., i cili deri më tani, ishte i pa arritshëm për organet e ndjekjes, ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë periudhës kohore prej 1 korrik 20134 deri më 23 nëntor 2013, me dashje dhe me dijeni e me qëllim që ky grup të kryej vepra penale që janë të dënueshme me burgim, së paku 4 vjet, aktivisht ka marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, duke e ditur se pjesëmarrja e tij do të kontribuojë në realizimin e veprimtarisë kriminale për import, furnizim, transport, këmbim, ndërmjetësim, dhe shitje të paautorizuar të armëve dhe duke vepruar së bashku me të pandehurit tjerë për të cilët kjo prokurori me datë 30.05.2014 ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, me vetëdije kanë transportuar dhe sjellë armë dhe municion të ndryshme, nga Maqedonia për në pjesë të ndryshme të Kosovës”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurin, për veprat penale që akuzohet, ta shpallë fajtor dhe ta gjykojë sipas ligjit. /KosovaPress/