Aktuale

Aktakuzë ndaj dy policëve për keqpërdorim të detyrës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë, kundër të akuzuarve F.T. dhe R.K., që të dy zyrtar policor për shkak të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës të pandehurit F.T. dhe R.K., në cilësi të bashkëkryerësve si persona zyrtar, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

F.T. dhe R.K., në cilësi të zyrtarëve policor – pjesëtarëve të Policisë së Trafikut Rrugor në Prizren, gjatë orarit të punës, e pasi që e sekuestrojnë përkohësisht automjetin për shkak të vetksidentit, nuk hapin rast për vetaksident dhe me dashje lirojnë automjetin e tipit Volvo V40 dhe ia dorëzojnë personit F.K., edhe pse e kanë ditur se ky automjet është vetëaksidentuar dhe ka rezultuar i pazhdoganuar, në të njëjtin janë vendosur targat e regjistrimit që nuk i përkisnin dhe si i tillë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren, për zhdoganim, transmeton Klan Kosova.