Derisa në veri po zhvillohet një aksion i gjerë për arrestimin e shumë personave të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion, kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në zyrë ambasadorë të shteteve evropiane.
Në zyrë, Haradinajt, i ka shkruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Connell, me të cilin kanë diskutuar rreth sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.
“Në takim me ambasadorin britanik Ruairí O’Connell, diskutuam për situatën politike në vend dhe progresin substancial që Kosova ka shënuar në rend e ligj. Shpreha edhe njëherë përkushtimin e Qeverisë për të fuqizuar angazhimin dhe bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në të gjitha fushat e interesit tonë të përbashkët”, ka thënë Haradinaj, transmeton FaktePlus.
Kreu i Qeverisë po ashtu ka pritur në takim edhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, me të cilën ka diskutuar rreth çështjeve të rëndësishme në vend dhe rajon.
“Prita në takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, për të diskutuar mbi çështjet e rëndësishme politike për vendin dhe rajonin. Takimi i Berlinit, ai i Parisit dhe takime të tjera regjionale, janë rast i mirë i bashkëpunimit dhe avancimit të raporteve në Ballkanin Perëndimor. Theksova se mbështetja e Kroacisë duke qenë pjesë e Presidencës së BE-së është shumë e rëndësishme për Kosovën dhe se jemi duke punuar fuqishëm që qytetarët tanë sa më shpejt të bëhen pjesë e familjes europiane, përmes liberalizimit të vizave”, ka theksuar Haradinaj. /FaktePlus