Aktuale

Aksioni kundër informalitetit, 600 subjekte ndryshuan përgjegjësinë tatimore

​Administrata Tatimore në Shqipëri vijon aksionin në terren në kuadër të fushatës kundër informalitetit për të garantuar zbatueshmërinë e ligjit dhe bashkëpunuar me tatimpaguesit dhe qytetarët në këtë betejë të përbashkët kundër evazionit dhe informalitetit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Adminsitrata Tatimore deri tani janë kontaktuar më shumë se 13 700 subjekte, ka organizuar më shumë se 1500 vizita këshilluese dhe 7700 takime ballë për ballë.

Administrata Tatimore ka mundësuar 2280 kontrolle nga zyra, nga të cilat 600 subjekte kanë ndryshuar përgjegjësinë tatimore. 3023 subjekte janë kontrolluar në territor nga të cilat 650 subjekte janë konstatuar me shkelje.

Gjatë kontrolleve në territor rreth 100 subjekte janë penalizuar me mbyllje të aktivitetit kryesisht biznese të paregjistruar apo për moslëshim kuponi.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ndërkohë inkurajon çdo sipërmarrës të ndershëm si dhe qytetarët, të denoncojnë rastet e paligjshmërisë kudo ku ata i ndeshin ato.