Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë zhvilluar sot një aksion para burgut të Prizrenit ku po mbahet në paraburgim aktivisti Astrit Dehari.
Duke shpalosur parullën “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje të ndryshme, aktivistët kërkuan lirimin e Astritit nga burgu, sikurse edhe të Atdhe Arifit dhe Egzon Haliti janë duke qëndruar në paraburgim në burgun e Lipjanit dhe Pejës.
Me këtë rast është kërkuar që edhe Adea Batusha, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi që po ashtu padrejtësisht mbahen në arrest shtëpiak.
Në fjalën e tij, anëtari i Kryesisë, Xhelal Sveçla, tha se pushteti i klanit “Pronto” me montime e pa asnjë provë të vetme po i privon nga liria gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje vetëm pse janë aktivistë të saj, e rrjedhimisht kundërshtarë “të këtij regjimi që dita ditës po bëhet regjim autoritar”.
“Këtu, para meje ndodhet Astrit Dehari, një aktivist shembullor nga një familje veprimtarësh , një student i shkëlqyer në Fakultetin Mjekësisë, një shok e familjar i dashur, një shembull për çdo të ri në Kosovë. Pikërisht për këtë, Astriti mbahet në burg sepse djemtë si Astriti nuk i duron një pushtet kriminelësh e një pushtet injorantësh”, theksoi Sveçla.
Sveçla tha se aktet e tilla nuk e zbehin rezistencën kundër aktivitetit të siq tha ai “këtij klani kriminal, duke thënë se Astrit Dehari nuk mund të qëndrojë aty ku e ka vendin klani ‘Pronto’, aty ku duhet të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa e të tjerë”./KosovaPress/