Aktuale

Aksion policor në Pejë kundër fajdeve, arrestohen 7 persona

Në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion policor në rajonin e Dukagjinit, në funksion të luftimit të dukurive negative dhe veprave penale, që ndërlidhen me fajde.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, përmes telefonit ka thënë për KosovaPress se operacioni policor përfshinë kontrollimin e 12 lokacioneve, të 10 personave të dyshuar.

“Deri në këto qaste janë arrestuar 7 persona, përderisa 3 të tjerë nuk janë gjetur dhe janë në kërkim nga Policia. Gjatë operacionit policor janë gjetur armë si dhe janë konfiskuar dëshmi të rëndësishme si para dhe dokumente të ndryshme që mund të përdoren për procedim të mëtejmë ligjor”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Policisë.