Një person ka gjetur vdekjen në një aksident komunikacioni që ka ndodhur sot në fshatin Doberdol të Podujevës në mes të dy veturave.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura në lëvizje, “Audi Q7” dhe “Golf II”, të cilat fillimisht janë ndeshur mes vete dhe më pas njëra nga veturat ka goditur një këmbësor, i cili nuk ka mundur t’u përballojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje.
Lidhur me këtë aksident dy ngasësit e automjeteve, V. D. mashkull 36-vjeç dhe A.A. mashkull 27-vjeç, janë shoqëruar në polici dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48orësh.
Ndërsa trupi i viktimës Sh. G., mashkull, 59-vjeç, është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndryshe, vetëm në shtatë mujorin e parë të këtij viti, në rajonin e Prishtinës janë raportuar 4.438 aksidente trafiku, prej tyre 16 me pasoja fatale dhe 19 persona të vdekur.
Policia e Kosovës me këtë rast u bënë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat, në mënyrë që të vijë deri te ulja e aksidenteve në trafik.