Aktuale

AKR thotë se ata që kaluan në LDK, kanë qenë pjesë e AKR-së

Pas njoftimit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, se kryesia e AKR-së ka kaluar në LDK, ka reaguar Aleanca Kosova e Re, e cila ka thënë se ky lajm është i pavërtetë.

Dega e LDK-së në Podujeve, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në LDK ka kaluar kryesia e AKR-së në Podujevë, ku komunikatës i kanë bashkangjitur edhe një foto, ku kryetari i Podujevës Agim Veliu, i ka pritur të sapo anëtarësuarit në partinë e tij,

transmeton KosovaPress.

Reagimi AKR-së:
Aleanca Kosova e Re, sqaron opinionin publik se lajmi për kinse kalimin e Kryesisë së Degës së AKR-së në Podujevë, në LDK, i publikuar në disa medie online është i pavërtetë.

Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, AKR bën të ditur se është në proces të brendshëm zgjedhor, si në Podujevë, ashtu edhe në të gjitha pjesët e Kosovës.

Procesi i konsolidimit të degëve ende nuk ka përfunduar, përveç Gjakovës, Lipjanit dhe Drenasit.

Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se deri në këtë fazë gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, në Aleancën Kosova e Re janë angazhuar rreth 25 mijë njerëz, ndërsa procesi ende po vazhdon.

Personat që flitet se kanë kaluar nga AKR në LDK janë thjeshtë disa persona që në një fazë kanë qenë pjesë e AKR-së, por që për shkak të mossuksesit të tyre në të kaluarën nuk kanë gjetur hapësirë në parti.