Sekretari i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, ka bërë me dije se partia e tij është e gatshme të bisedojë me Lëvizjen Vetëvendosje në të mirë të shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai në një prononcim për Gazetën Insajderi, ka folur rreth krijimit të qeverisë së re, se a do të diskutojnë me LVV-në në lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm nëse nuk ec përpara marrëveshja me LDK-në.
Makolli, ka pohuar se deri tash nuk kanë pasur asnjë ofertë nga asnjë subjekt, mirëpo, thotë se janë të hapur për të vepruar në të mirë të shtetit.
Ai nuk ka lënë pa përmendur ngrirjen e negociatave LDK-VV. Ka thënë se e ka menduar një stagnim të tillë.
“Unë kam dyshuar dhe e kam menduar që do të vijë tek një stagnim i tillë për shkak të sjelljeve që kanë pas. Por këto është dashtë të tejkalohen dhe po ashtu thanë që marrëveshja është kryer. Partitë tona nuk e shikojnë interesin e shtetit e ndërkohë kemi shumë procese që duhet të ecin përpara”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se mbrëmë anëtari i LVV-së Glauk Konjfuca në një emision ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në, do të shikojnë opsione të tjera.
“Në fund do të ulemi dhe do të shqyrtojmë cilat janë opsionet e Vetëvendosjes dhe do të themi a ja vlen t’i kontaktojmë të tjerët, apo po shkojnë në zgjedhke, apo po hina në këto marifetet me PDK-në”, ka thënë Konjufca mbrëmë në Pressing.