Aktuale

AKP-ja shpërndan 20 përqindëshin për 14 ndërmarrje shoqërore

Mbi 2800 punëtorë të 14 ndërmarrjeve shoqërore do të përfitojnë nga ndarja e re e 20 përqindëshit të privatizimit që Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka shpallur së fundmi.

AKP në njoftimin e saj ka bërë të ditur se, “Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve të 20 përqindëshit, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm të këtyre ndërmarrjeve shoqërore dhe shuma e fondeve që është në procedurë të shpërndarjes kësaj radhe është 908,130.89 euro. Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 2840 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20%-it”.

Bartja e këtyre fondeve do të bëhet në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime).

Nga fondet e 20% deri me tani Agjencia ka shpërndarë rreth 110 milionë euro, dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 46 mijë punëtorë dhe ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.

Ndërsa vetëm gjatë vitit 2016 janë shpërndarë rreth 6 milionë euro për punëtorët e kualifikueshëm. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpërndarjen e fondeve të 20%-it për punëtorët e kualifikueshëm edhe për disa NSh tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen me kohë.