Aktuale

Ahmeti: Zgjedhjet e 11 dhjetorit, fillim i zgjidhjes së krizës në Maqedoni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti është takuar sot në Shkup me përfaqësuesin e veçantë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Bateli si dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në një njoftim për media thuhet se Roberto Bateli nënvizoi kontributin e liderit të BDI-së Ahmeti në arritjen e marrëveshjes politike dhe stabilizimin e situatës.

Në anën tjetër, Ahmeti foli për rëndësinë e përmbylljes së krizës politike në vend nëpërmjet të mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike.

Lideri Ahmeti elaboroi mbi nevojën e rikthimit të agjendës EuroAtlantike dhe reformuese nga ana e Qeverisë pas zgjedhjeve dhe theksoi që Bashkimi Demokratik për Integrim është partner i komunitetit ndërkombëtar në arritjen e qëllimit të përbashkët.

“Maqedonia ka nevojë për institucione stabile që do ti rreken reformave dhe do të punojnë në drejtim të zgjidhjes së emrit, integrimin e vendit në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian sepse vetëm kjo agjendë mundëson marrëdhënie të mira ndëretnike, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim./KP