Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje Shpend Ahmeti është takuar sot me gra dhe vajza të Prishtinës.
Në këtë tubim, u tha Vetëvendosje nuk është vetëm lëvizje politike, por është edhe lëvizje emancipuese e shoqërisë dhe gjinisë.Megjithatë kandidati për kryetar Shpend Ahmeti duke e konsideruar veten si socialdemokrat i majtë, tha se janë bërë 18 vjet pas luftës ku janë shpenzuar miliona euro për diskutime në tryeza të ndryshme për barazi gjinore dhe ende nuk ka barazi.
Sipas tij, shoqëria kosovare(meshkujt) ende s’janë vetëdijesuar dhe emancipuar. Ai tha se sot në këtë takim me gratë do të flas, sepse sipas tij, nuk është koha me shit mend meshkujt për barazi gjinore. Ai ka treguar se në komunën e Prishtinës ka pasur vetëm 60 aplikime brenda një viti për regjistrim të pronës së përbashkët, burrë e grua. Ahmeti tha se duhet fuqizim ekonomik, sepse trashëgimi të pronës në Prishtinë dhe pronat janë ndarë vetëm meshkujve, këto sipas tij, janë gjëra që duhet ndryshuar. “Besoj se nuk fitohen të drejtat pa e ngritur zërin. Ajo për solidaritetin gjinor është më se e nevojshme.
Unë e kam treguar një përvojë që gjithmonë gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes kur i kërkoj një mashkulli, burri me marr një pozitë, pak si shumë lehtë e marrin pozitën. Kur i thua a po vjen me punua drejtor, ‘po more qysh jo’… ndërsa kur kemi oferta për gjininë femërore se ‘eja dhe bëhu drejtoreshë’, gjithmonë është një hezitim paraprak i cili vjen një diskriminimi shumë vjeçar, duke thënë se ‘nuk di a ja dalë’, ‘se di a jam e aftë për këtë punë’, përderisa përvojat prej qeverisjes katër vjeçare tregon që graë janë goxha më të afta se burrat për t’i qeverisë drejtoritë e veta, por me problem shumë më të mëdha në trajtimin që ia bëjnë punëtorët eprorëve të vet.
Një grua drejtoreshë kur jep detyra dhe urdhra prej punëtorëve burra gati se keqtrajtohet ‘hajt se kush je ti me më treguar mua”… Ne si LVV e kemi përgjegjësinë kryesore në Kosovë për këtë punë… duke qenë subjekti I vetëm politik I qendrës së majtë që synon barazinë”, tha Ahmeti.
Ai ka shtuar Lëvizja Vetëvendosje është parti socialdemokrate, ndërsa partitë tjera janë konservatore, për të konservuar për të mos ndryshuar.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti tha se është tejet e rëndësishme çështja e avancimit të grave dhe duhet trajtuar në mënyrë të barabartë. Andaj, ajo tha se koncepti i LVV-së është çështja e trajtimit të grave dhe veprojnë në mënyrën konceptit socialdemokrat.
Ajo ka lavdëruar Shpend Ahmetin për ndërtimin e çerdheve në kryeqytet dhe sigurimin e shujtave për nxënësit. “Unë e konsideroj Shpendin një prej feministëve më të mëdhenj që ka kontribuar shumë për gratë, sepse e rëndësishme për përfshirjen e grave në sferën publike është pikërisht kur fillohet të krijohet infrastruktura e përshtatshme. E ato janë çerdhet, që në mandatin e kaluar Shpendi i ka ndërtuar gjashtë prej tyre, pastaj shujtat e fëmije në shkolla që është edhe një gajle tjetër që iu hiqet nënave dhe nuk merren me përgatitjen e ushqimit… kontrollet mjekësore në shkolla, pra janë të gjitha këto që shkojnë në favor të besimit dhe obligimeve të grave dhe ja mundësojnë përfshirjen e saj më shumë në sferën publike”, theksoi Dërguti.
Visare Gorani – Gashi kandidate për asamble komunale nga radhët e LVV-së tha se qeverisja komunale nga Ahmeti është dëshmuar se qeverisja nuk është sundim si dhe qeverisja e mirë zhvillim. Ajo tha se me programin e LVV-së garantohet ndërtimi i sallës së koncertit, ndërrimi i spitalit të qytetit si dhe qendra për autizëm. Si dhe zotimi tjetër është se të varfrit dhe të moshuarit nuk do t’i lënë në mëshirën e fatit. Kandidati Ahmeti në fund kërkoi nga gratë që të votojnë edhe asamblistët e LVV që t’i japin krah ekzekutivit./KosovaPress/