Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është zotuar se përmes hartës zonale të gjitha pronat e qytetarëve do të konsiderohen të barabarta, do të rrisin vlerën e pronave komunale, do të zbatohet shkëmbimi pa mjete financiare si dhe do të aplikimi i shpronësimit me koeficient.
Ai këto premtime i ka bërë në një konferencë për media me rastin e prezantimit të prioritetit të katërt të Lëvizjes Vetëvendosje për qytetin e Prishtinës, e që është prona e barabartë në planifikim që ka të bëjë me planifikimin e qytetit.
Ameti ka premtuar se nuk do të lejojë të ndodhë që nga procesi i ndërtimit apo shpronësimit të fitojnë vetëm disa pronarë tokash. Sipas tij, tash e tutje do të marrin kompensimet e tyre edhe ata pronarë tokash që iu bie si pjesë rruga apo shkolla.
“Zotimi jonë i parë është që prona do të jetë e barabartë në këtë hartë zonale… Për shembull themi në lagjen ‘Tophane’ koeficienti i ndërtimit është tre, që është toka metrat katrore herë tre, aq ka të drejt për ndërtim, do të vlejë për të gjitha pronat në atë bllok dhe patjetër do të ketë rrugë që do t’i bie dikujt në pronë, por ajo nuk ia mohon të drejtën e metrave katrorë që i ka ajo pronë. Pra me këtë ne krijojmë gati se një treg sekondarë, i cili një personi të cilit i ka ra rruga në pronën e tij, nuk mund të ndërtojë në atë pronë, por mund t’i bartë metrat katrorë në bashkëpunim me fqinjët e vet që do të ndërtojnë”, ka thënë ai.
Sa i përket çështjes së shpronësimit, sipas Ahmetit shpronësimi pa mjete financiare është forma më e mirë përmes së cilës do të zgjidheshin shumë probleme të kësaj natyre në shumë lagje si rezultat edhe i mungesës së mjeteve financiare, model ky që përdoret edhe në Neë York për shkak të hapësirave të vogla.
E për të mbajtur edhe premtimet e dhëna më parë, përkatësisht atë për strehimin e 250-të familjeve që paraqesin rast social për Komunën e Prishtinës, ai ka thënë se këtë mund ta realizojnë më lehtë nëse Komuna e Prishtinës hyn në bashkëndërtim me pronarët privat aty ku parashihet ndërtim.
Ahmeti: Synimi ynë është të rrisim pasurinë e Komunës
“Synimi jonë si komunë është që përmes hartës zonale dhe planifikimit ta rrisim pasurinë e Komunës… Kësaj radhe kemi vendosur që edhe me planifikim, edhe me ndërtim, të hyjmë në bashkë ndërtim ku kemi tokë komunale ku keni tokë komunale të barabartë me pronarët e tjerë privat.. dhe në këmbim për tokën tonë të marrim banesa siç bëjnë pronarët privat e ato banesa t’i shfrytëzojmë për banim social”, është shprehur ai.
Ndërkaq sa i përket uzurpimit të pronave publike, kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës ka thënë se do t’i japin me qira, ndërsa do të japin në shfrytëzim vendet ku mund të ndërtohen fabrika.
Ndërkaq për pronat e tjetërsuara, Ahmeti ka thënë se kjo paraqet punë për Prokurorinë dhe gjykatat, për të kthyer në pronë ligjore tokën.
Në fund, Ahmeti ka thënë se Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë në Republikën të Kosovës që i ka në detaje të përfshira të gjitha objektet, ndërsa harta zonale është afatgjatë dhe se do të përdoret në disa mandate./KP