Aktuale

Ahmet Krasniqi do te rivarroset në Kosovë më 21 shtator

LDK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Ish Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi do te rivarroset në Kosovë, më 21 shtator 2018, në 20 vjetorin e vrasjes së tij.

Deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së, Anton Quni, Doruntinë Maloku, Vjosa Osmani dhe Armend Zemaj, me kërkesë të familjes Krasniqi dhe bashkëluftëtarëve të tij, sot i dorëzuan Ministrit të FSK-së, Rrustem Berisha, kërkesën për fillimin e procedurave për rivarrosjen e ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së tij.

Ministri Berisha i falënderoi deputetët për besimin, duke shprehur edhe respektin e tij si bashkëluftëtar i Kolonel Ahmet Krasniqit dhe u zotua se menjëherë do të nisë procedurat për organizimin e të gjitha ceremonive shtetërore në Republikën e Kosovës dhe në atë të Shqipërisë, që do të kulmojnë me ceremoninë kryesore, atë të rivarrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit, me 21 shtator 2018 në Kosovë.

Ish Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi është dekoruar me urdhërat më të lartë të të dy shteteve, “Hero i Kosovës” dhe “Urdhëri Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, për meritat e tij të veçanta dhe kontributin historik për liri dhe pavarësi./KosovaPress/