Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se e ka pritur me shqetësim të thellë njoftimin e gazetares Senada Halimi se gazeta “Zëri” ia ka shkëputur marrëdhënien e punës pasi ajo i ka njoftuar se është shtatzënë.
Në njoftimin e saj për AGK-në gazetarja Halimi ka thënë se: “Unë jam njoftuar me datë 06.12.2016 se më është shkëputur marrëdhënia e punës. Kjo ka ndodhur vetëm pak ditë pasi menaxhmenti e ka kuptuar se unë jam shtatzënë”.
“Duke u bazuar në këtë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon veprimin e gazetës “Zëri” pasi vendimi i menaxhmentit bije ndesh me Ligjin e Punës si dhe ligjet e tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Njëherësh veprimi i gazetës “Zëri” paraqet diskriminim të drejtpërdrejt:, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja thekson se shkëputja e marrëdhënies së punës në kohën e shtatzënësisë nuk duhet të që asnjë formë të shndërrohet në praktikë të lejueshme në vendin tonë.
“Presim që veprimi i gazetës ‘Zëri’ të dënohet edhe nga organizata të tjera që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e posaqërsisht të grave”, thuhet tutje në reagim.
AGK-ja thotë se për këtë rast me kërkesë të gazetares Senada Halimi ne e kemi njoftuar edhe Inspektoratin e Punës nga i cili institucion presim vendim të shpejtë dhe të drejtë.
“Poashtu inkurajojmë gazetaren Halimi që të nisë procedurat ligjore ndaj gazetës në fjalë”, përfundon AGK-ja./KosovaPress/