Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës(AGK) me anë të një deklarate për media shprehet se është duke e përcjellë me vëmendje rastin gjyqësor të privatësisë, Adem Grabovci kundër gazetës online “Insajderi”. AGK kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të përgatisë dhe të publikojë të dhënat e tij rreth rasteve kundër mediave dhe gazetarëve.
AGK thekson më tej “Tashmë është bërë praktikë që partitë politike dhe njerëzit e fuqishëm në pushtet gjithnjë e më shumë janë duke paditur mediat dhe gazetarët. Kjo është duke ndodhur edhe kur raportimi është i bazuar në fakte dhe bëhet me qëllim të frikësimit të gazetarëve.”
Sipas saj përdorimi i mjeteve ligjore për të realizuar një të drejtë është metodë demokratike.
“Mirëpo, marrë parasysh sistemin fragjil të drejtësisë në Kosovë, komuniteti i gazetareve frikësohet se ky rast mund të mos zgjidhet në mënyrë meritore. Për këtë arsye dhe duke mos paragjykuar vendimin final të gjykatës, i rekomandojmë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe instancave të tjera gjyqësore që të shqyrtojnë këtë rast bazuar në standardet e krijuara nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli i Europës. Njëkohësisht i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, sidomos OSBE-së, Këshillit të Europës dhe zyrës së BE-së të monitorojë nga afër rastin gjyqësor kundër gazetës Insajder.” përfundon komunikatën AGK-ja.