Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim njoftimin nga anëtarja Ardiana Thaçi – Mehmeti se ajo po linçohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
“Qëkur kjo agjenci dërgoi një letër për media, më 2 tetor, në të cilën u bënte thirrje qytetarëve të Kosovës të mos binin pre e kinse “dezinformatave” të publikuara në Kohavision nga unë -Ardiana Thaçi, që në fakt ishin vetëm informacione të mirë hulumtuara dhe të bazuara në dokumente për keqmenaxhimin e këtij institucioni nga kreu i tij, Bahri Nuredini.
Në ueb faqen e tyre që nga ajo ditë, vazhdon të qëndrojë emri im në formë linçimi, lajm i cili kohë pas kohe paraqitet edhe në ekranin e madh në një nga sallat e kësaj agjencie” ka thënë gazetarja Thaçi – Mehmeti.
AGK kërkon nga ky institucion që të largojë këtë njoftim nga ueb-faqja si dhe të mos përsërisë një praktikë të tillë në raport me gazetarët. Kjo formë e veprimit paraqet tendencë të hapur për linçimin e gazetarëve si dhe ka qëllim të drejtpërdrejt të dëmtimit të imazhit të tyre.