Mediet lokale të Iranit kanë raportuar se numri i viktimave të koronavirusit në këtë shtet ka shkuar në 988. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara u shënuan 135 viktima të reja.
Brenda periudhës njëditore, në Iran u konfirmuan 1 mijë e 178 raste të reja të infektimeve, duke e çuar në mbi 16 mijë shifrën e përgjithshme të personave të prekur. Këto të dhëna u publikuan nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour.
Ky zyrtar shtoi se rreth 5 mijë e 400 persona të infektuar tashmë janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet.
Rasti i parë i infektimit me koronavirus në Iran ishte shënuar më 19 shkurt në provincën Qom, shkruan “Anadolu”.
Turqia, e cila deri më tani i ka 47 raste të konfirmuara, muajin e kaluar e mbylli kufirin tokësor me Iranin dhe i ndërpreu fluturimet me këtë shtet.
Bashkë me Kinën, Italinë dhe Korenë Jugore, Irani është në mesin e vendeve më të prekura nga virusi i ri, që filloi të përhapej fillimisht në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar.