Rajon & Botë

Aeroplani amerikan derdh karburantin mbi shkolla, lëndohen 60 persona

Gjashtëdhjetë persona janë trajtuar pasi një aeroplan e derdhi karburantin mbi pesë shkolla fillore dhe një shkollë të mesme. Aeroplani ishte duke u kthyer në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angeles-it.

Incidenti ndodhi pasditen e së martës, njoftoi inspektori Sean Ferguson. Shkolla më e prekur nga karburanti i hedhur nga ajri ishte shkolla “Park Avenue”, ku 20 nxënës dhe 11 persona të rritur pësuan lëndime të lehta. Kjo shkollë ndodhet rreth 30 kilometra larg aeroportit.

Shkollat tjera që u prekën nga ky incident ishin shkollat fillore “San Gabriel”, “Graham”, “Tëeedy”, “93 Street” dhe shkolla e mesme “Jordan”.

Pas kontrolleve që i bënë në të gjitha shkollat, ekspertët e materialeve të rrezikshme thanë se rreziku ka kaluar. Të gjitha shkollat do të hapen sipas orarit të zakonshëm të mërkurën.

“Në bazë të pajisjeve që kemi, në shkolla nuk ka mbetje të lëndëve të lëngëta apo të ngurta”, tha zyrtari Jason Robertson gjatë një konference për gazetarë.

Justin Guiti, nxënës në klasën e pestë, tha se karburanti i aeroplanit e ka lagur në tërë trupin dhe madje i ka hyrë në sy.

Një nxënës tjetër, Miguel Cervantes, tha se i kruhej lëkura pas lagies me karburantin e aeroplanit, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.