Një konferencë e thirrur sot nga deputeti i LDK-së Adem Salihaj, pati vëmendjen e plotë të mediave në Prishtinë. Përderisa pritej që një prej figurave më të përfolura të politikës në vend të deklarohej për çështje të rëndësishme politike e aktuale në vend, ai besoi.
Adem Salihaj sot kishte vendosur të zbardhte fakte, të cilat, siç tha ai, janë ekskluzive dhe të padëgjuara deri sot. Dhe ky ekskluzivitet doli se kishte të bënte me paraardhësit e shqiptarëve, ilirët.
Adem Salihaj tha se sot ende ekzistojnë rreth 500 mijë pasardhës ilir, të cilët jetojnë në Kalash të Afganistanit dhe Pakistanit, në territorin që ndodhet në afërsi të Kinës.
Deputeti i LDK-së, i cili mbajti konferencë për media në Sheshin “Ibrahim Rugova”, tregoi disa fakte historike që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe ilirët dhe që kanë dalë në pah në këto kohë të fundit, e që ai mendon se do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në aspektet historike të zhvillimit të kombit shqiptar prej ilirëve e deri më sot.
“Në hapësirat e largëta të Afganistanit dhe Pakistanit, diku në kufi me Kinën, është një popull që jetojnë rreth 500 mijë banorë dhe quhet Kalash. Pra, ky popull rrjedh prej 6 mijë ushtarëve të Aleksandërit të Madh të Maqedonisë që mbeten në atë kohën kur ai pushtoi hapësirat e mëdha të Azisë dhe u vra në një betejë në Indi. Kështu që 6 mijë ushtarët e tij mbetën atje 10 mijë kilometra larg prej këtu dhe nuk u kthyen asnjë herë… Ajo që neve na intereson, është se ky popull përdorë plotë fjalë shqipe, ka traditë si të tonat, përdorën fjalët shqipe në emërtime të toponimeve nëpër vendbanime ku jetojnë… Pra, ata jetojnë në tri vendbanime që quhen Bamira, Balta dhe Hunza”, tha deputet Salihaj.
Deputeti i LDK-së tha se do ta dërgojë këtë çështje edhe në Kuvend, për të iniciuar hapat që duhet t’i ndërmarr Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë për dërgimin e një ekipi për hulumtime shkencore nëpër këto vende ku jetojnë ende popujt Ilir.
‘Unë do ta shtroj edhe në Kuvend këtë çështje dhe do të kërkoj nga Qeveria e jonë që të koordinohet me Qeverinë e Shqipërisë, që ta dërgoi një ekspeditë shkencore në këto vise për të cilat po flasim. Dhe të rrinë së paku një muaj, ku do të ketë shkencëtar të profilesh të ndryshme, si historian, arkeologë, etnolog, muzikant, muzikolog, albanolog, letrarë etj., në mënyrë që ta studiojnë këtë kulturë, sepse do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kombit tonë. Sepse kemi gjetur ilirët që janë gjallë. Pra, ilirët që jetojnë ende dhe asnjë herë nuk kanë pasur kontakt me ne”, theksoi Salihaj.
Ajo i që i duket deputetit më interesante, është se ky popull flasin edhe në ditët e sotme në gjuhën ilire, që është e njëjtë me gjuhën shqipe, dhe kjo, sipas tij, dëshmohet pa asnjë mëdyshje. Deputeti Salihaj për mos t’ia humbur eskluzivitetin, siç tha ai, kësaj teme për histori, nuk deshi të flas për çështje të tjera politike dhe të sistemit të drejtësisë. /KP