Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria Zvicerane ka shprehur gadishmërinë për të nisur procesin negociator për arritjen e marrëveshjes për sigurime sociale.
Abrashi ka thënë për lajmi.net se procesi është në fund, dhe nuk duhen edhe shumë takime deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare.
“Konfederata e Zvicrës, përkatësisht Qeveria Zvicerane, ka shprehur interesim për të filluar negociatat për arritjen Marrëveshjes për Sigurime Sociale me shtetin e Kosovës. Nisma për arritjen e marrëveshjes për sigurime sociale me Konfederatën e Zvicrës, ka ardhur si rezultat i zbatimit të plotë dhe të suksesshëm të Pilot Marrëveshjes për nëntë muaj nga MPMS e cila ka qenë bartëse e procesit dhe implementuese e pilot marrëveshjes në fjalë. Me seriozitetin dhe përkushtimin e treguar nga MPMS, Qeveria Zvicerane, i ka hapur dyert Qeverise së Kosovës që negociatat në mes ekipeve punuese të fillojnë sa më parë që është e mundur”, ka thënë Abrashi.
Ai ka treguar se qytetarëve të Kosovës do t’iu mundësohet të punojnë dhe ta realizojnë të drejtën e tyre.
“Efektet pozitive që do dalin nga kjo marrëveshje, janë të mëdha për qytetaret kosovar të cilët kanë punuar dhe punojnë në Zvicër. Qytetareve të dy shteteve do të iu mundësohet lëvizja e lirë që të punojnë dhe të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës dhe të drejtat tjera nga fusha e sigurimit social”.
Ministri i Punës Abrashi ka thënë se kosovarët që kanë punuar në Zvicër, pas pensionimit do të mund ta marrin pensionin në shtetin e tyre, Kosovë.
“Ne veçanti, me këtë marrëveshje, qytetareve kosovar të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Konfederatën Zvicerane, do t’iu mundësohet, që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në shtetin e tyre, në shtetin e Kosovës. Për më shumë, në bazë të kësaj marrëveshje, qytetarëve kosovarë do të iu mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës) në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Zvicër”, ka thënë Abrashi për lajmi.net./Lajmi.net/