Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arban Abrashi gjatë një takimi me biznesmenë, ka shpalosur 10 shtyllat kryesore, ku LDK parasheh funksionalizimin e zonave ekonomike në vend.
I kandiduari për të parin e kryeqytetit ka thënë se programi i LDK-së konsiston në fuqizimin e sektorit privat.
Abrashi po ashtu në planin e tij qeverisës, për katër vitet e ardhshme ka paraparë të bëjë një studim për krijimin e një metroje për kryeqytetin, ndërsa tha se kanë plane konkrete për trenin, i cili dërgon njerëzit nga Prishtina në Aeroport.
“Treni urban dhe lidhja me aeroport është një sektor, i cili veç është trajtuar gjatë mandatit tonë. Në qeveri ekziston një studim i fizibilitetit, i cili është bërë nga BERZH-i, ende nuk është i kompletuar, por së paku është një projekt, i cili ekziston në tavolinë dhe shumë shpejtë i marrim edhe detajet konkrete rreth këtij projekti, dhe besoj që edhe kjo është një mundësi e mirë përmes së cilës ne mund edhe të ofrojmë forma të ndryshme të partneritetit publiko-privat. Zhvillimi i tërësishëm i parkut të Gërmisë. Ne mendojmë që do të investojmë në infrastrukturën rrugore dhe në infrastrukturën tjetër bazike tek parku i Gërmisë, mendojmë që ka një potencial të themi të hatashëm zhvillimor dhe do të gjejmë forma të bashkëpunimit”, tha ai.
Abrashi tha se në planin e tij qeverisës për zhvillim ekonomik, ka përfshirë edhe riparimin e qytetit të vjetër dhe zhvillim e qendrave rekreative në liqenin e Badovcit dhe në zona të ndryshme të Gollakut.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se janë të interesuar për të krijuar kushte për të bërë biznes, dhe do të punojnë në infrastrukturë, në mënyrë që ajo të jetë funksionale.
Ai tha se është i bindur se këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit e LDK-së, pasi që e njohin më së miri këtë fushë.
“Si Lidhje Demokratike, jemi të interesuar që të krijojmë parakushtet themelore, të lehtësojmë ambientin e të bërit biznes, të punojmë në infrastrukturën e fortë, në mënyrë në mënyrë që ajo të jetë funksionale, të krijojmë kushte të bashkëpunimit dhe dhënë të bizneseve me pushtetin lokal, të marrim masa nxitëse të pushtetit lokal, ato që ndërlidhen me sigurimin e hapësirave të vendosjes së bizneseve, të lokacioneve, pastaj të lehtësimit të tatimit në pronë edhe kushteve tjera të ofrimit të shërbimeve të komunave. Dhe unë jam i bindur se asnjëri më mirë, këto çështje se sa njerëzit e Lidhjes Demokratike edhe nuk i njohin edhe s’mund t’i bëjnë “, tha ai.
Tutje Mustafa tha se sot ka ardhur këto që të kërkoi kontributin e bizneseve që politika të jetë ashtu siç iu konvenon bizneseve.
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka prezantuar 10 shtyllat që kanë qëllim funksionalizimin e zonave ekonomike në të gjithë Kosovën.
“Ne kemi grumbulluar një platformë, 10 shtylla bazike mbi të cilat ndërtohen programet komunale në të cilën LDK kandidon. Këto shtylla duam t’i prezantojmë ne të gjitha regjionet e Kosovës, nisu nga Prishtina dhe ato janë si ne vijim, besoj që secili e ka materialin para vetes. Shtylla e parë jo domosdoshmërish nga rëndësia, është ajo e funksionalizimit të zonave ekonomike në të gjithë Kosovën, ne veçanti ku LDK do të qeverisë me komunat e veta. Ne do të provojmë t’i rifunksionalizojmë këto zona, do të provojmë që të hapim zona të reja ekonomike në vende ku infrastruktura veç është krijuar, në vende ku prona private mund të shërbejë edhe si iniciativë për të ndërtuar dhe krijuar zona të reja ekonomike, pra jo domosdoshmërisht këto zona u krijuan vetëm në tokën publike. Do të provojmë që në brendi të këtyre zonave publike të krijojmë qendra inovative dhe të krijojmë biznese, në mënyrë që ndërma rrësve të rinj t’iu ndihmohet me themelin e bizneseve të reja”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se një prej shtyllave tjera që LDK do t’i paraqes në programin komunal, është edhe ulja e tatimit në pronë në të gjitha komunat ku do të qeverisin, si dhe reduktimi i taksave komunale në nivelin e mbulimit të kostove.
Ndryshe në këtë takim pronarët e bizneseve i kanë drejtuar disa kërkesa kandidatit për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve dhe Prodhueseve të Materialit Ndërtimor, Rrahim Selimaj kërkoi nga Abrashi që t’iu mundësohet që mos t’i paguajnë taksat për hapësira të përbashkëta, të hiqen disa pasuese për lejen dhe të respekton harta zonale.
“Unë kërkojë nga ju kryetari i ardhshëm i Prishtinës që në radhë të parë ta respektoni ligjin, të krijoni kushte për zhvillim ekonomik, e në veçanti punësim, por investitorët potencial që i kemi janë në ndërtimtari, të ua mundësojmë kushtet sepse e ligji e thotë që edhe kur nuk ka plan hapësinor, urban dhe hapësinor, duhet t’i krijojmë kushtet nëse nuk shkelet ligji, atë nuk e bëjnë”, tha ai.
Ndërkaq, Flamur Beqiri përfaqësues i sektorit të tekstilit, ka folur për problematikat infrastrukturore, pasi ata kanë probleme me kontratat afatshkurta që i ofron Agjencia Kosovare e Privatizimit në tregun e tekstilit në Fushë Kosovë dhe në Pallatin e Rinisë.
“Sektori i tekstilit i ka dy momente interesante që me të vërtet ballafaqohet me një problematik infrastrukturore, e që ka të bëjë me tregun e tekstilit në Fushë Kosovë, ose në Zonën Industriale të Prishtinës. Thjeshtë kontratat afatshkurta që i ofron Agjencia Kosovare e Privatizimit, që në kuptimin e planifikimit te biznesit janë jashtëzakonisht të vështira për menaxhim dhe të rrezikshme për investime të reja”, tha ai, raporton KosovaPress.