Aktuale

Abdixhiku shpalos programet për ekonomi, arsim dhe shëndetësi

Dje në emisionin “Komiteti” në TV Dukagjini ishte i ftuar Lumir Abdixhiku, përfaqësues dhe kandidat i LDK-së në zgjedhjet e 11 Qershorit, ku foli për inkuadrimin e tij në politikë dhe po ashtu shpalosi një pjesë të programit të koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Abdixhiku më tepër u fokusua në aspektet ekonomike të këtij programi si dhe planin për reformimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në vend.

Ai tha se brenda mandatit të parë, nëse zgjidhet deputet, synon të punojë për rritje graduale ekonomike prej 4% në 8%.

“Burimet e rritjes ekonomike do te jene investimet e mëdha kapitale – Termocentrali i ri, Investimet ne Kompleksin turistik ‘Brezovica’ si dhe zhvillimi i sektorit privat”, ka thënë Abdixhiku, transmeton Gazeta Express.

Ai gjithashtu përmendi edhe TVSH-në, ku tha se do të mblidhet brenda dhe jo në kufi si dhe do të hiqen taksat për lëndë të parë.

“Investimet e mëdha kapitale si rrugët, hekurudhat do të financohen nga burimet e jashtme duke mos krijuar barrë shtesë për buxhetin. Me të hyrat vetanake do të financohen investimet në arsim, shëndetësi dhe drejtësi”, potencoi Abdixhiku.

Po ashtu, kandidati për deputet me numër 8 nga koalicioni LDK-AKR-Alterntiva, tha se do ta rrisin luftën ndaj informalitetit.

“Programi ynë është për një Qeveri të vogël dhe jo një organizëm i madh që shpenzon shumë”, shtoi ai.

Sa i përket sektorit të ekonomike, Abdixhiku tha se do të rishikohen edhe shpenzimet për mëditjet dhe shpenzimet e tjera të luksit.

Mirëpë, në fjalën e tij rreth shëndetësisë, Lumir Abdixhiku tha se në qeverisje do të shumëfishohen investimet kapitale në këtë sektor për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore në spitalet publike në Kosovë, sepse siç thotë ai, rreth 70 milionë euro në vit shpenzohen nga qytetarët e Kosovës për shërim në vendet e rajonit.

“Do të bëhet digjitalizimi i sistemit shëndetësor përmes krijimit dhe funksionalizimit të sistemit informativ shëndetësor” tha Abdixhiku.

Mirëpo, për fushën e arsimit, Abdixhiku tha se do të bëhet depolitizimi dhe reformimi i sistemit arsimor në të gjitha nivelet, profilizimi i universiteteve në nivelin e lartë të arsimit dhe hapjen e çerdheve në zonat rurale.

Abdixhiku potencoi që nuk i është futur politikës për pozita dhe u zotua që i gjithë angazhimi i tij politik do të jetë në shërbim të qytetarit të Kosovës. Ai po ashtu theksoi që është ithtar i mbrojtjes së identitetit dhe rendit kushtetues të Republikës si dhe orientimit pro-perëndimor të Kosovës. /GazetaExpress/