Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha viset shqiptare, sot janë rreshtuar në krah të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në protestën madhështore në Prishtinë.
AAK thotë se e vlerëson madhështore këtë protestë për faktin se në mbështetje të liderit Ramush Haradinaj, janë vënë qytetarë të të gjitha moshave e përcaktimeve politike e kulturore.
“Mesazhet e shpalosura në protestën e sotme, se ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, është përpjekje për ta ndalur Kosovën, se prekja e Ramush Haradinajt do të thotë, me i prekë themelet e Kosovës dhe se ndalja e tij është politike dhe nuk ka të bëj me drejtësinë, sot janë mesazhet e Kosovës dhe të qytetarisë së saj! AAK u shpreh mirënjohje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme në Prishtinë e kudo tjetër, dhe e vlerëson lart dinjitetin e treguar në kundërshtim e ndalimit të tij në Francë, dinjitet i cili e karakterizon më shumë se këdo tjetër, vetë Kryetarin Haradinaj”, thuhet në komunikatën e AAK-së./KosovaPress/