Aktuale

AAK prezanton katër kandidatë për kryetar të komunave

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj në një konferencë për media, ka prezantuar katër kandidatë për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Kandidatët që u prezantuan janë Fitim Selimi kandidat për kryetar të Lipjanit, Faton Jakupi kandidat për kryetar në komunën e Dardanës, Hajrush Kurtaj kandidat për kryetar të komunës së Kaçanikut dhe Faruk Nura, kandidat për kryetar të komunës së Vitisë.

Haradinaj kandidatët në fjalë i quajti profesionistë të zotë, që kanë dhënë shumë për lirinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

“Të gjithë secili me një aktivitet të gjatë në shërbim të lirisë, të proceseve për liri, për shtet ndërtim. Profesionistë të zotë. Njerëz të respektuar në mesin prej ku vijnë. Komunat prej ku vijnë. Njerëz që e kanë besimin e kolegeve të strukturave që e kanë marrë këtë besim. Janë njerëz të guximit qytetar e intelektual”, tha ai.

Haradinaj i prezantoi veç e veç secilin kandidat. E kur erdhi radha tek Faruk Nura kandidat për kryetar i komunës së Vitisë tha se ndër të tjera, ai ishte dhe njeri i afërt i ish presidentit Rugova.

“ Faruk Nura po ashtu epror pjesëmarrës në proceset për liri në brigadën e Koshares. Një aktivist i hershëm i çështjes kombëtare shqiptare i proceseve për liri. Një njeri nga më të afërm të presidentit Rugova. Pra një përkrahës një mbështetës. Pjesëmarrës dhe në sigurinë familjare të institucionit të presidentit. Sipërmarrës i zoti. Tani kandidat për komunën e Vitisë“, tha ai.

Kandidatët e prezantuar sot deklaruan se me marrjen e postit si kryetar komunash, premtuan punë për ta ndryshuar jetën e qytetarëve.

Faruk Nura kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, tha se në fokus të tij do të jenë rinia e këtij qyteti, e cila është e lënë pasdore.

“Unë do të mundohem të jem shumë afër qytetarëve të komunës së Vitisë. Siç jeni të njoftuar Vitia ka punuar gjithë, i ka dhënë këtij vendi por realisht i ka munguar një lidership, i cili është i lidhur me Prishtinën dhe qendrën dhe kthen investimin e merituar në Viti. Kthen dinjitetin e një qeverisje të respektuar në Viti. Andaj unë do të bashkëpunoj me çdo qytetar të komunës së Vitisë për të arritur sukses dhe për të pasur një jetë më të mirë“, tha ai.

Fitim Selimi kandidat për kryetar në Komunën e Lipjanit, tha se ndihma e tij do të jetë shumë më e madhe për qytetarët e kësaj komune me duart e pajisura me pushtet cilësor se sa prej një profesionisti shëndetësor.

“Ndihem mirë në këtë angazhim, sidomos ndihem mirë karshi qytetarëve të mijë. Sepse e kam ndjenjën që atë që e kam arrit në thirrjen prej profesionisti mjekësor me bë me duart e mija, është shumë me rëndësi dhe do të jetë shumë më e madhe nëse atë do të arrij ta bëjë me duar të pajisura me cilësi pushtetarë”, tha ai.

Edhe Faton Jakupi kandidat për kryetar në komunën e Dardanës, tha se ndjehet krenar që do të rrugëtojë së bashku me Haradinajn.

Ndërsa tha se me ardhjen e tij në krye të komunës së Dardanës, ky qytet do të jetë i qytetarëve dhe jo i klaneve.

“Jam krenar që rrugëtoj me ty gjeneral. Jam i ri në moshë dhe si kryetar i qeveris së ardhme në në Kamenicë do të jetë i qeverisur prej njerëzve të rinj kuadriove dhe nuk do të qeveriset më kamenica për klane por për qytetarët”, tha ai.

Ndërsa Hajrush Kurtaj kandidat për kryetar të komunës së Kaçanikut tha se do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Unë do të mundohem që besimin ta arsyetoj para qytetarëve të Kaçanikut duke iu shërbyer. Gjatë qeverisjes time, do të keni nderin dhe ju dhe gjithë qytetarët e Kaçanikut do të qeverisen ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kaçanikut. “, tha ai./kp