Aktuale

AAK nuk është e interesuar të hyjë në koalicion, kërkon zgjedhje të parakohshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka hedhur poshtë pretendimet se mund të bëhet pjesë e koalicionit në Qeverinë e Kosovës dhe ka mohuar se ka bisedime për një qeverisje gjithëpërfshirëse.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj tha për Gazetën Express se “gjithmonë kur gjërat shkojnë keq, dikush e hap çështjen e koaliconeve dhe, çuditërisht edhe përfshirjen e AAK-së në këto koalicione imagjinare.

“Nuk ka asgjë të vërtetë nga kjo, dhe as që ka pasur ide ose biseda për një gjë të tillë. Kjo është përpjekje për ta shpërqëndruar vëmendjen e opinionit publik nga çështjet problemore dhe jetike për vendin, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, dështimi i qeverisjes në politikat ekonomike dhe politikën e jashtme, duke përfshirë edhe proceset integruese të Kosovës në BE, si dhe situata e krijuar nga pafuqia e Qeverisë për t’i zgiidhur dy temat e krakterit shtetëror, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni.” tha Nitaj

Ai theksoi se çdo përpjekje për krijimin e një koalicioni të ri, është përpjekje për t’i justifikuar dështimet e këtij mandati qeverisës duke shtuar më tej se nuk është e jashtëzakonshme nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.