Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës të mos eksperimentojë me Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave serbe, por të fokusohen në luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomisë, transformimin e FSK-së, dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me qytetarët.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të prodhojë rezultate dhe jo deklarata. Shkaktarët e korrupsionit duhet të lirohen nga përgjegjësitë dhe të përgjigjen para ligjit.
Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Harainaj në konferencën e përbashkët me liderin e Nismës për Kosovës, Fatmir Limaj. Haradinaj ka kërkuar që Qeveria dhe Parlamenti të mos e vonojnë për as edhe një ditë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Pas një kohe të gjatë të mbetjes peng të Kosovës nga temat që tashmë kanë epilog, bashkësia e komunave serbe dhe versioni që e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, edhe versioni i shënimit të kufirit me Malin e Zi, e që është tërheq nga parlamenti, kërkojmë që institucionet e vendit të mos vazhdojnë edhe më tutje të eksperimentojnë me këto tema, por të ia përkushtojnë kohën e çmuar Kosovës, të përkushtohen ka temat që janë me rëndësi për Kosovën e që lidhen me rendin dhe ligjin …Me luftën kundër korrupsionit”, tha Haradinaj.
Ai po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që të i përkushtohet zhvillimit ekomomik të vendit.
“Rezultat i punës opozitare dhe kundërshtimit të një qasje të tillë, më në fund e kemi një zgjidhje për Trepçën me ligji, por ligji po ashtu nuk mundet të anashkalojë kontribuuesit me dekada për Trepçën, dikur i kanë quajtur minatorët e viteve, përpara. Po ashtu, resurset tjera siç është qymyri dhe investimet në energji s’munden me pas fatin e AXOS. Duhet të kemi parasysh që mos të bëjmë gabime të tilla. Sa i përket fokusimi në rend dhe ligj, tema ekonomike dhe resurse, fokusimi i radhës së institucioneve të vendit, këto ditë duhet të ndryshohet pozicion në temat e dialogut ose situatën e dialogut, mos të vazhdohet dialogu i tillë që është improvizim për interesa të Thaçit dhe Mustafës. Njëkohësisht duhet të fokusohen në votimin e ushtrisë së Kosovës, pra në transformimin e FSK-së. Këto janë bindjet tona meqenëse është humbur shumë kohë në dy tema, e para nesh kemi rendin dhe ligjin, zhvillimet në resurse dhe FSK-në”, tha ai.
Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovës, ka thënë se koalicioni në pushtet ka dështuar në çdo segment të qeverisjes.
“Ne besojmë që është koha me ndryshuar qasje ndaj shtetit, t’i kthehemi temave të brendshme sepse ky koalicion qeverisës, ka dështuar në çdo pjesë, në çdo segment të qeverisjes në vendin tonë. Kosova vazhdon të ballafaqohet me qeverisjen më të madhe në Evropë, ndërsa, me punë është nën zero. Mungesa e investimeve direkte, probleme me kapjen e shtetit në të gjitha poret e sa, rrënimi i ndërmarrjeve publike, tendenca për një lloj administrimi dhe të kapen njerëzit rreth blerjes së paqes sociale, problemi me veteranët e luftës dhe shumë e shumë probleme, e bënë që kjo Qeveri ka dështuar dhe jo rastësisht ka pasur një sjellje arrogante ndaj atyre dy temave që përmendem me lartë, vetëm e vetëm për të mbuluar dështimin në të gjitha fushat tjera në qeverisjen e brendshme. Ky do të jetë angazhimi ynë si koalicion në ditët e muajt në vazhdim dhe dalëngadalë do t’i shihni temat dhe do të punojmë për ta ndryshuar gjendjen”, tha Limaj.
Ndër pikat tjera që kanë kërkuar nga Qeveria janë edhe ndërprerja e bisedimeve në formën aktuale. Po ashtu, është thënë se si rezultat i inferioriteti të mungesës së një reciprociteti të mirëfilltë, vendi vuan nga pasojat e sotme si arrestimi i shefit të policisë Nehat Thaçi. /KP