Aktuale

AAK: Mbështetja për Haradinajn është mbështetje për Kosovën

AAK, përmes një njoftimi për media, konsideron se “mbështetja popullore për kryetarin e saj, Ramush Haradinajn, pozicionimi në krah të tij nga personalitete të rëndësishme nga vendi dhe bota, është mbështetje për Kosovën dhe të drejtën e saj, që ajo dhe qytetarët e saj të trajtohen me dinjitet dhe në përputhje me drejtësinë e jo me interesat politike”.

Në komunikatë thuhet se “reagimi qytetar e publik, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni dhe gjithandej në Diasporë, është tregues i qartë se opinioni në vend dhe jashtë tij, e ka kuptuar se mbajtja e Haradinajt në Francë nuk ka të bëjë asgjë me drejtësinë, sepse ai i ka spastruar punët me të dhe nga Drejtësia Ndërkombëtarë është shpallur i pafajshëm për të gjitha pretendimet e Serbisë”.

AAK, është e bindur se kjo ngjarje me shije të hidhur do të marrë epilog shumë shpejt dhe Haradinaj do të vazhdojë aktivitetin e tij politik.

“AAK, falënderon të gjithë ata mijëra qytetarë e personalitete, që iu gjenden përkrah Haradinajt dhe AAK-së, në këto momente të pakëndshme”, përfundon komunikata.