Partia e Ramush Haradinaj ka zgjedhur të krahasojë Isa Mustafën me Shefin e Makinerisë së rrenave. Këtë epitet ia ka dhënë Avni Arifi, Këshilltar i Ramush Haradinajt dhe Kryetar i Degës së kësaj partie në Prishtinë.
Duke komentuar deklarimet e Kryeministrit se në Kosovë ka rritje ekonomike, Arifi ka thënë se Isa Mustafa s’po duket si Kryeministër por po merr role tjera.
“Kur flet Isa Mustafa për rritje ekonomike dhe zvogëlim të papunsisë krijon bindje se është shef i Makinerisë së Rrenave e jo Kryeministër”, ka reaguar Arifi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se trendi i uljes së papunësisë në Kosovë ka ardhur si rezultat i rritjes ekonomike.
“Shkalla e papunësisë në Kosovë, 26.2%. Më e ulëta në pesë vitet e fundit. Janë këto rezultate të dala nga Anketa e Fuqisë Punëtore, për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, të kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, i kumtuar nga ministri Abrashi”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kishin udhëhequr Kosovën prej vitit 2004 deri në vitin 2007. Prej atëherë këto dy parti s’kanë pasur mundësi të bashkëqeverisin. Ramush Haradinaj kishte synuar të bëhej Kryeministër, por kishte dështuar pasi Isa Mustafa kishte bërë koalicion me PDK.