Aktuale

AAK: Kosova në kollaps, ta ndërrojmë logjikën qeverisëse

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj, sot, në orën 14, pritet t’iu drejtohet simpatizantëve të AAK’së për të shpalosur idenë e tij për ndryshimin e logjikës qeverisëse në Kosovë.

Partia e Haradinaj, nëpërmjet një njoftimi, ka konstatuar se aktualisht Kosova gjendet në kollaps derisa ka bërë thirrje që ndryshimi të ndodhë tash e jo nesër.

“AAK, beson se ndryshimi i këtij pushteti nuk është thjesht një detyrë elektorale, por është më shumë se kaq. Në Kosovë askush nuk po i jep pesë parë as për gabime, as për hajni , as për dështime. Koha për ta ndalur këtë kollaps dhe për ta ndërruar këtë logjikë qeverisëse, është sot-nesër bëhët vonë”, thuhet në njoftimin e AAK’së

Partia e Ramush Haradinaj po vazhdon të mbetet në opozitë prej një dekade. Prej vitit 2007, lideri i AAK’së, dy herë është shpallur i pafajshëm për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Aktualisht, kjo parti është në koalicion parazgjedhor me NISMA për Kosovën. Ndoshta, sot, AAK zyrtarizon edhe koalicionin me AKR’në e Pacollit.