Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë letrat me të cilat shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore e rrugor që lidhin kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe tutje me Evropën.
Kjo pritet të ndodhë sot në Gjermani me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, shkruan lajmi.net.
E këtë hap, pala serbe po e cilëson si shumë fitimprurës për ekonominë e tyre dhe për serbët që jetojnë në Kosovë.
Drejtori i të ashtuquajturës, zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha sot se linjat hekurudhore mes Kosovës e Serbisë, po riaktivizohen pas 20 vjetësh.
Duke e quajtur Kosovën si “provincë”, ai tha se tanimë Beogradi do të jetë shumë më afër saj.
“Kjo është diçka që do ta afrojë kryeqytetin, Beogradin me provincën jugore. Është diçka, që në momentin që implementohet, pra përfshirë edhe hekurudhat që kalojnë përmes Merdares, do të bëj që mallrat serbe të arrijnë në Kosovë më shpejtë, po ashtu pasagjerët do të udhëtojnë shumë më lehtë”, ka thënë ai për RTS-në.
Sipas tij, mesazhi i gjithë kësaj marrëveshjeje është lidhja ekonomike mes dy vendeve, dhe benefitet që sipas tij sjell ajo.
Në Gjermani ndërkaq sot do të mbahet Konferenca e Sigurisë në të cilën prezent do të jenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti si dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.