Rajon & Botë

A po e pret botën apokalipsi? Ky është skenari i mundshëm i luftës së re

Presidenti i SHBA Donald Trump dje ka paralajmëruar se bashkë me bashkëpunëtorët e vet politik dhe ushtarak në afatin më të shkurtër do të merr “vendime të rëndësishme” për përgjigje ndaj sulmit me armë kimike në Siri.

Nëse Trump urdhëron sulm në Siri, ai me siguri do të jetë i fuqishëm dhe gjithëpërfshirës.

Siç shkruan The Guardian, Trump do të dojë të imponohet si lider i fuqishëm. Gjithashtu, aksionit ushtarak amerikan me siguri do t’i bashkohen edhe Franca, presidenti i së cilës tashmë ka paralajmëruar goditje ushtarake nëse dëshmohet përdorimi i armëve kimike, dhe ndoshta edhe Britania e Madhe, përcjellë Insajderi.com.

Caqet mund të jenë bazat ajrore të Sirisë, e ndoshta edhe aeroportet e tëra. Flota e aviacionit sirian, edhe pse pretendohet se ende i ka 265 aeroplanë dhe helikopterë, është shpenzuar në luftën shtatëvjeçare dhe e dëmtuar seriozisht me goditjet ajrore të Izraelit, të cilat janë kryer si hakmarrje për rrëzimin e aeroplanit izraelit. Forcat amerikane mund ta sulmojnë së paku dhjetë baza tjera ajrore në rrethinën e Damaskut, Homsit, Alepos, Deir ez-Zoras dhe qyteteve tjera siriane.

Ky sulm mund të kryej grupi luftarak i marinës amerikane i vendosur në Mesdheun lindor dhe i pajisur me raketa me rreze të gjata. Në këtë sulm mund të marrin pjesë edhe aeroplanët ushtarak të vendosur në Katar dhe nëpër aeroplanmbajtëse në Gjirin Arab, të cilët tashmë me vite kryejnë sulme ndaj pozitave të Shtetit Islamik.

Nëse Britania e Madhe përfshihet në aksion, këtë mund ta bëjë nga baza e vet ajrore në Qipro. Megjithatë, kontributi më i madh i Britanisë së Madhe dhe Francës për SHBA do të ishte në atë se Trump do kishte mundur të thotë se sulmi nuk është unilateral.

Rrëzimi i aeroplanit izraelit F-16 nga ana e sistemit kundërajror sirian SA-5, të vjetër 45 vjet, tregon se edhe më tutje është kërcënim aviacionit i cili kishte kryer aksionin ushtarak kundër regjimit sirian. Mirëpo, para këtij rrëzimi, Izraelitët kanë kryer më shumë se njëqind sulme ajrore nëpër caqe ushtarake në Siri pa përgjigje.

Megjithatë, çështja kryesore është se a do të përfshihet Rusia në kundërsulm, gjegjësisht a do ta aktivizojë sistemin e vet të fuqishëm kundërajror S-400, të cilin e ka vendosur në Siri para më shumë se një viti dhe i cili paraqet kërcënim edhe për aeroplanët më modernë. Forcat ruse deri tani disa herë e kanë kyçur sistemin, por nuk e kanë përdorur kurrë.

Megjithatë, paralajmërimet nga Kremlini sugjerojnë se këtë herë mund të jetë ndryshe./Insajderi.com.