Zhvillimet 24 orëshe në vend, mund të ndryshojnë skenën politike në Kosovë. Partia e cila mund të ‘futet në lojë’ është Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto janë deklaratat e fundit, madje edhe nga vetë LDK’ja, që çojnë në këtë drejtim, shkruan Periskopi…
Arrestimi i Marko Gjuriqit nga policia e Kosovës, ka pasuar me daljen e Listës Serbe nga Qeveria. Me të marrë këtë vendim, Lista Serbe madje ka paralajmëruar se brenda pak orësh, do ta themelojnë edhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Të gjitha këto veprime, për kryeministrin Ramush Haradinaj janë të ngutshme dhe jo të mira.
“Vendimi për dalje nga qeveria nuk ndihmon për asnjë çështje politike dhe jetësore. Mendoj se ky vendim nuk është i mirë në funksion të interesit të përgjithshëm të serbëve të Kosovës. Vetëm përmes punës në institucione mund të përparojë interesi i serbëve në Kosovës. Shpresoj se ata do të kthehen në të ardhmen. Aksionet unilaterale, nuk është kjo diçka që ndihmon”, tha Haradinaj.
Haradinaj madje ka thënë se nuk ka në mend të jap dorëheqje pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria.
“Dorëheqje s’e kam në plan me dhënë. Punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht. Ata që e përkrahin punën e qeverisë u shprehu partneritet. Ata që shkojnë, e hyjnë e dalin nuk kam ndonjë mendim tjetër për ta”, tha ai.
Edhe presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur të ngutshëm dhe provokues daljen e Listës Serbe nga Qeveria.
“Pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë. Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi, shkruan Periskopi.
Për dyshimet se skena politike mund të pësojë ndryshime, e mbështesin edhe fjalët në komunikatën e LDK’së, e cila ka qenë vazhdimisht e zëshme për të ‘shkuar Qeveria Haradinaj’, mirëpo tani vërehet ndryshim në këtë qasje.
Në komunikatën e tyre drejtuar mediave, LDK askund nuk përmend se Qeveria duhet të rrëzohet, por vetëm thonë se kjo parti ‘nuk do ta lejojë Listën Serb eta përcaktojë fatin e Kosovës’, shkruan Periskopi.
“LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës. “Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës”, thuhet në deklaratën e LDK-së./Periskopi