Aktuale

A mund të realizohet në Kosovë shërbimi ushtarak obligativ?

Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin ka sjellur në tavolinë disa ndryshime  të praktikave të mëhershme të funksionimit të institucioneve.

Një nga premtimet e zgjedhjeve të kryeministrit Albin Kurti ka qenë edhe shërbimi ushtarak i obligueshëm.

Mirëpo, kjo ide e Kurtit nuk i ka mbetur të kaluarës. Ai në ekspozenë e tij përpara deputetëve të Kosovës në ditën e votimit të qeverisë, ka folur për këtë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, një gjë e tillë është mjaft pozitive, por është vështirë e realizueshme dhe ka kosto të lartë financiare.

Lajmi.net ka kontaktuar me ish-ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha i cili në cilësinë e ish-ministrit dhe të ekspertit të fushës ka komentuar mbi këtë ide të Kurtit.

Berisha për lajmi.net është shprehur se nëse ka qëllim edukativ atëherë mund të ketë efekte pozitive, por për të ndodhur kjo duhet të ndryshohet ligji për shërbimin në FSK.

“Mendoj se është si zotim elektoral dhe që don një studim të veçantë, tani sigurisht që zbërthimin mund ta bëjnë ata që e kanë propozuar, nëse e kanë qëllimin edukativ nëpër këto universitetet me ndërhy në programe e ka efektin pozitiv, por ne e kemi një ligj për shërbim në FSK dhe nëse zbërthehet që është në interes të shtetit të Kosovës mund të ndryshohet Ligji nëse miratohet nga parlamenti”, tha Berisha për lajmi.net.

Më tutje, Berisha është shprehur se si koncept praktikohet nga një numër i vogël shtetesh sepse zakonisht aplikohen mbrojtja kolektive dhe mbrojtja e zgjuar e cila mbulohet me pak mjete financiare.

“Por si koncept ka shumë pak shtete që e praktikojnë sepse doktrinat, projektet kryesisht shkojnë në mbrojtje kolektive dhe mbrojtjen e zgjuar që me pak mjete, pak ushtri mund të ketë efekt shumë më të fuqishëm sesa të ketë shumë ushtar e të mos ketë efekt të njëjtë”, tha Berisha.

Më tutje, ish-ministri i Mbrojtjes është shprehur se duhet të analizohet gjendja faktike dhe të shqyrtohet kjo ide.

“Mbetet të analizohet dhe sigurisht ministri i ri do të analizojë gjendjen faktike dhe do të shqyrtojë propozimin dhe me siguri që do të dalin me rekomandime që janë më të mirat për shtetin dhe ushtrinë e Kosovës”, tha Berisha.

Në fund, i pyetur rreth kostos financiare që mund të ketë implementimi i një projekti të tillë, Berisha tha se duke marrë parasysh që ushtria është organizatë jo-profitabile, kjo mund të jetë barrë buxhetore, por mbetet të shihet pas analizave dhe rekomandimeve për këtë çështje.

“Duhet bërë një studim, analizë jo vetëm në aspektin profesional por edhe të faktorëve tjerë, sepse ushtria është organizatë jo-profitabile dhe mund të jetë barrë buxhetore por duhet të shihet fillimisht cila është ideja dhe sigurisht Anton Quni është mjaft profesional dhe do të dalë me rekomandimet e duhura për këtë çështje”, tha Berisha.

Shërbimi ushtarak obligativ sipas Kurtit është paraparë të jetë me kohëzgjatje prej tre muaj.

 

the authorGazetaKNN