Nga sot në Prishtinë do të nisë kryerja e testeve serologjike (analizë e gjakut) për koronavirus.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, është deklaruar për këtë, derisa ka thënë se ka edhe staf të mjaftueshëm për të bërë këto testime.
Ai tutje nëpërmjet një postimi në profilin e tij ‘facebook’ ka potencuar se aparaturat janë automatike dhe se testimi do të bëhet brenda 30 minutave.
“Në Prishtinë nga sot nisim testimet serologjike për Covid-19. 🦠 Kemi staf të mjaftueshëm për testime serologjike. 👨🔬🧑🏻🔬Aparatura është automatike. 🧪💉Testimi do të bëhet brenda 30 minutave. Me këtë test nuk kërkohet virusi, por antitrupat”, ka shkruar Pacolli, përcjell FaktePlus.
Ndryshe, Prishtina ka kontraktuar 10 mijë e 800 teste, por që ditëve në vijim pritet ende furnizim me këto teste.
“Janë 10 mijë e 800 teste të kontraktua por do të furnizohemi në ditët në vijim. Teste do të ketë mjaftueshëm”, tregon ai.
Edhe drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, derisa ka njoftuar mbrëmë për nisjen e testime, ka theksuar edhe se kërkesat janë të mëdha për të bërë këtë test.
“Kemi staf të mjaftueshëm sepse për testime serologjike nuk duhen kapacitete të mëdha. Aparatura është automatike. Testimi do të bëhet brenda 30 minutave. Teste serologjike dallojnë nga “Real Time PCR” Ajo metodë që e bën ISHKK bëhet me marrjen e mostrës dhe identifikimin e virusit, kurse testimet serologjike janë, gjetja e antitrupave ndaj virusit. Nuk kërkohet virusi, por antitrupat. Shpresoj që do të fillojmë që nesër. Do të rriten kapacitet për testim brenda ditëve në vazhdim. Kërkesat janë të mëdha që nga tani. Kemi të gjitha evidencat nga fillimi i pandemisë nga rastet e para më 20 mars”, deklaroi Gashi mbrëmë.