Aktuale

A ka arritur LDK-ja pajtim për kandidatin konsensual?

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur edhe sot një mbledhje prej tri orësh, ku është diskutuar sërish për gjetjen e një kandidati konsensual për kryetar të partisë.

E duket se diskutimet e sotme kanë dhënë një rezultat. Sipas informatave nga mbledhja, shumica e anëtarëve të Kryesisë janë pajtuar që kryetari aktual, Isa Mustafa, të jetë kandidati konsensual për kryetar të ri të partisë.

Kryesia e LDK-së, që nga ora 10:00 e mëngjesit është mbledhur dhe po vazhdon diskutimet që ka nisur ditë më parë, si përgatitje për të mbajtur kuvendin zgjedhor, ku pritet të zgjedhet kryetari i partisë.

Deri më tani asnjë anëtar i LDK-së nuk e ka shpallur kandidaturën për të parin e partisë. Qëndrimi unanim i partisë ka qenë që të shtunën kur edhe do të mbahen zgjedhjet të bëhen të ditura kandidaturat, apo të vazhdohet me aklamacion.

Lidhja Demokratike e Kosovës nisi zgjedhjet e brendshme me 20 mars të këtij viti.

Këto zgjedhje në disa prej degëve të partisë janë shoqëruar edhe me telashe e përleshje në mes të anëtarëve të vet partisë./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli