Aktuale

A e detyruan të betohej mbi kuran? Si u gjend libri i shenjtë në skenën e krimit në Fushë Krujë

Pranë vendit ku u gjend makina e djegur në Fushë Krujë, bashkë me trupin e Xhafer Osmanit, është gjendur edhe një libër i shenjtë, kurani.

Mësohet se shërbimet zjarrfikëse, pasi kanë shuar zjarrin kanë gjetur një kuran vetëm tre metra më tutje. Libri i Kuranit ndodhej i padjegur dhe në gjendje të mirë ndaj policia e ka marrë si provë materiale për të kontrolluar për shenjë gishtash.

Hetuesit e konsiderojnë shumë të rëndësishëm gjetjen e Kuranit, për shkak se nënkupton se autorët e kanë detyruar viktimën të betohet mbi librin e shenjtë. Me siguri për ndonjë dyshim që ata kishin mbi 57-vjeçarin nga Mitrovica.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqarta, ndërkohë që pritet të bëhet krahasimi i gjurmëve biologjike të viktimës dhe familjarëve të të dyshuarit, përmes ekspertizës së ADN-së.

Shqiptari nga Mitrovica kërkohej nga i vëllai që prej ditës së premte, pasi telefoni i tij i dilte i fikur. Në fillim policia dyshonte se bëhej fjalë për një lidhje jashtëmartesore, pasi Osmani mund të kishte lidhje me një femër në Fushë Krujë, por kjo mbetet ende në stadin e supozimeve.