Aktuale

A do të dalin sot nga karantina? Mjekët e infermierët e Vitisë po presin testet e IKSHP’së

17 mjekë e infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, përfshirë edhe drejtoreshën, do të testohen sot. Nëse rezultatet e tyre dalin negative, ata do të lirohen nga karantina. Të njëjtit janë vendosur në karantinë para 15 ditësh, meqenëse kishin pasur kontakt me ambientin ku ishte trajtuar 77-vjeçari i infektuar me COVID-19, raporton Express.

Drejtoresha e QKMF’së, Vjollca Kadolli i ka thënë Gazetës Express se po presin që të vijnë ekipet e Instititit Kombëtar të Shëndetit Publik që t’ua marrin mostrat.

Sipas saj, asnjë prej mjekëve e infermierëve nuk ka ndonjë simptomë të koronavirusit.

“Jemi në pritje të ekipeve të IKSHP’së me na i marr mostrat, pastaj nëse rezultatet dalin negative, dalim nga karantina. Gjendja e të gjithëve është e mirë, s’ka asnjëri ndonjë simptomë”, ka thënë Kadolli për Express.

Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar shtatë raste të reja me koronavirus në Malishevë.

Sipas IKPSHK’së, të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetëizolim. Me këto shifra numri i të prekurve në Kosovë kap shifrën 86.

“Sonte më 26.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar edhe 25 mostra nga Malisheva prej të cilëve 7 rezultuan pozitive. Të gjitha rastet janë të njohura, të kontaktuara dhe në vetëizolim”, njoftoi IKSHP’ja.

the authorGazetaKNN