Ngrohtorja e qytetit “Termkos” përmes një njoftimi për media, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësitë e shumta që u ofron ligji për faljen e borxheve, në të kundërtën ata do të shkyçen nga rrjeti i ngrohjes.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se për më shumë se 10 muaj që nga fillimi i realizimit të këtij ligji, deri më tani në saje të marrëveshjeve, që janë lidhur me 1.709 konsumatorë janë falur rreth 1 milion e 700 mijë euro, ndërkaq, nga falja e pakushtëzuar e borxhit pa procedura të mëtejme, ashtu siç e parasheh ligji, kanë përfituar 611 konsumatorë me borxh deri në 100 euro.
“Edhe rreth 9 milion e 800 mijë euro është shuma e borxhit nga viti 1999 e deri në përfundim të vitit 2008, për të cilat deri më tani nuk ka pasur kërkesa nga konsumatorët borxhlinj për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit. “Termokos” mirëpret gatishmërinë eventuale edhe të rreth 7 mijë e 700 konsumatorëve, të cilët kanë borxhe ndaj kompanisë sonë dhe mund të përfitojnë nga mundësitë e shumta, që u jep Ligji për faljen e borxheve publike. Pasi që, afatit për realizimin e këtij ligji po i afrohet fundi dhe ai do të jetë në fuqi vetëm deri më 2 shtator të këtij viti, apelojmë edhe një herë tek të gjithë konsumatorët borxhlinj, që të paraqiten në Shërbimin për konsumatorë për të lidhur marrëveshjen, e cila i paraprinë hyrjes në procedurë për faljen e borxhit”, thuhet në njoftim.
“Termokos” u bën me dije qytetarëve që nëse nuk përfitojnë nga falja e borxheve, atëherë borxhi i tyre disa shifror ndërkohë mund të rritet./KosovaPress/