Aktuale

AAK e Nisma kthehen në Kuvend kur të kthehet edhe demarkacioni

Opozita do të vazhdojë edhe më tej të kundërshtojë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë atë. Opozita do të përkrah çdo iniciativë që shkon në favor të zgjidhjes së çështjes, në të kundërtën do të vazhdojnë protestat edhe veprime të tjera kundërshtuese.

Kështu u bë e ditur në një konferencë për media, të nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekaj dhe nënkryetarja e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, të cilët bën të ditur se në Kuvend do të kthehen atëherë kur të kthehet edhe demarkacioni.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që t’i thonë jo marrëveshjes së demarkacionit, për të cilën thotë se është e dëmshme.

“Ne jemi të thirrur të mbrojmë territorin dhe sovranitetin e vendit. Nuk kisha dashur asnjë deputet te rreshtohet në anën tjetër, sepse ne dihet të sillemi në bazë të kërkesave te qytetarëve. Nuk jemi të ratifikojmë marrëveshje që janë në kundërshtim me interesat e vendit”, tha Lekaj.

Thirrje deputetëve për mos votimin e demarkacionit u ka bërë edhe nënkryetarja e Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, e cila tha se interesat shtetërore duhet të jenë para atyre partiake.

“Ne nuk do të lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje. Është çështje serioze dhe secili nga ne duhet të vihet në detyrë. Prandaj çdo votim pro ka me qenë me dëme të mëdha, dëme që do t’i trashëgojnë brezat e ardhshëm”, tha Bajrami./KosovaPress/