Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u bëri thirrje votuesve turq në Evropë për të kundërshtuar “nipërit e nazizmit” dhe të mbështesin referendumin për ndryshimin e kushtetutës dhe përsëriti se ka në plan të shpallë referendum për dënimin me vdekje dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Erdogan përsëri zemëroi vendet evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, në fushatën për referendumin, duke i akuzuar ata për taktika të ngjashme me ato naziste, për shkak të ndalimit të ministrave turq në mitingjet jashtë vendit. Ai tha gjithashtu se, nëse është e nevojshme, me anë të një referendumi do të shtrohet pyetja nëse Turqia duhet të kthejë dënimin me vdekje.
Turqia hoqi dënimin me vdekje para më shumë se dhjetë vjetësh, si pjesë e përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kthimi i dënimit me vdekje – në të cilin shumë thirren pas një grusht-shteti të dështuar më 15 korrik të vitit të kaluar – do të pamundësojë hyrjen në BE, thonë zyrtarët e BE. Presidenti turk tha gjithashtu se do të shqyrtojë procesin e bashkimit me BE pas referendumit më 16 prill.