Nipi i bilionerit që ka shpikur pijen energjetike Red Bull, Vorayuth Yoovidhaya, sërish nuk është paraqitur në zyren e prokurorit në Bangkok në lidhje me akuzat që e rëndojnë rreth vrasjes së një polici.
Më 3 shtator të vitit 2012, i dyshuari kishte goditur viktimën për vdekje teksa po ngiste Ferrarin e tij.
Por prokuroria ka dështuar ta sjellë nipin e bilionerit para drejtësisë meqë Vorayuth Yoovidhaya ka refuzuar të paraqitet në prokurori tash e sa herë.
Polici Wichian Klanprasert po ngiste motoçikletën e tij kur u godit nga një Ferrari, i cili e hodhi atë 100 metra poshtë rrugës, dhe pastaj iku.
Hetimet nxorën në pah se vozitësi i Ferrarit qe 27 vjeçari, i cili kishte qenë i dehur kur kishte shkaktuar aksidentin.
Megjithatë, qe më tepër se katër vite, për shtatë herë me rradhë Yoovidhaya nuk e ka respektuar drejtësinë duke mos u paraqitur për të dëshmuar. Avokati i tij ka nxjerrë një sërë arsyetimesh, që nga ato se ai është në udhëtim pune e gjerë tek arsyetimi se i dyshuari nuk është mirë me shëndet.
