Aktuale

Pas trenit, Qeveria ndalon edhe mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë

Edhe pse një ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale serbe në territorin e Kosovës, gjatë orëve të fundit ky qëndrim ka ndryshuar. Partneret e koalicionit qeveritar, pas një takimi urgjent kanë vendosur të ndalojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

E gjithë kjo situatë do të ishte e dëshirueshme për qytetarët e Kosovës dhe do të ishte një vendim i drejtë i Qeverisë, që do të pengonte shkeljen e sovranitetit të shtetit tonë nga mbajtja e zgjedhjeve të një shteti tjetër, sikur sot të mos ishte 1 prilli.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia vazhdon t’i mbajë zgjedhjet në Kosovë. Kjo është në kundërshtim me Kushtetutën, dhe edhe kësaj radhe po shkelet Kushtetuta e shtetit.

Në çdo shtet demokratik, një qytetar i huaj mund të votojë në zgjedhjet që mbahen në shtetin e tij, vetëm në ambasadat e republikës së shtetit të tij, apo në konsullatat e të njëjtit shtet. Në këtë rast zgjedhjet serbe do të duhej të mbaheshin në ambasadën e Republikës së Serbisë në Kosovë./KosovaPress/